Nga stadiumet në luftë, ish-futbollisti rus i bashkohet legjionit të huliganëve

Një ish-futbollist rus, dikur pjesë e ekipeve më në zë në futbollin vendas, është transferuar në frontin e Luftës në Ukrainë, pasi i është bashkuar legjionit të huliganëve, një grupim paraushtarak i përbërë nga tifozë ultras rusë.

Batalioni kryesohet nga “Spanjolli” Stanislav Orlov, një huligan famëkeq në Rusi, i cili ka rekrutuar të ngjashmit e tij në luftë dhe ka përfituar nga Vladimir Putin status special mes forcave ruse në Ukrainë. Vetë grupimi është quajtur “Espanola” dhe tashmë ka marrë miratimin për të rekrutuar edhe jashtë radhëve të huliganëve, duke u kthyer në një ushtri private e stilit të Wagner.

Mes të rekrutuarve të rinj është edhe Andrey Solomatin, 47 vjeç, i cili ka luajtur në Rusi më CSKA-në dhe Lokomotivën, ndërsa numëron edhe 13 ndeshje me kombëtaren, në vitet 1998–2003.

Orlov thotë se batalioni është pjesë e forcave të Republikës Popullore të Donetskut, krahinës ukrainase që ka shpallur pavarësinë. Sipas medias britanike “The Sun”, në të bëjnë pjesë 550 persona, mes të cilëve edhe 100 operatorë dronësh që përdoren për të sulmuar Ukrainën.

Vite më parë, Putin dukej i vendosur për të zhdukur fenomenin e huliganizmit në futbollin vendas, duke përdorur edhe policinë sekrete, FSB, për t’i ndaluar që të prishnin Botërorin e vitit 2018, të zhvilluar në Rusi, pasi ata shkaktuan kaos në 2016-n gjatë Europianit në Francë.

Por tashmë, duket se i ka larguar nga futbolli drejt fushës së betejës, duke i inkurajuar të marrin armët. Sipas raportimeve, rekrutimet për ushtarë të rinj po bëhen në Moskë dhe Shën Pjetërburg, me tifozë ultras nga skuadra si CSKA, Zenit, Spartak, Torpedo dhe Lokomotiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *