Dashur padashur, aventura e Rei Manajt te Barcelona është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me dëmtimet e shumta. Fillimisht Luis Suarez, pastaj Osman Dembele dhe Hiroki Abe.
Të gjithë e kanë mbyllur sezonin dhe kjo bëri që sulmuesi i Kombëtares shqiptare t’i ngjiste shpejt shkallët nga skuadra B në ekipin e parë. Sigurisht që ai ka treguar vlerat e tij në stërvitje dhe ka merituar gjithçka, por ishte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Dhe nëse dëmtimet e shumta i mundësuan grumbullimin me ekipin e parë dhe qëndrimin në stol për sfidën me Granadën, ishte sërish një dëmtim që i prishi ëndrrën për të debutuar.reymanaj-barcelona
Me dëmtimin e Hordi Albës, trajneri Kike Setien duhet që të bënte patjetër një zëvendësim të detyruar. Në këtë mënyrë, u zbehën shanset për Rei Manajn që në start. Edhe rezultati 2-1 ia vështirësoi gjërat shqiptarit, i cili priste me kalimin e minutave.
Por Setien nuk donte të kalonte në aventurë dhe dy zëvendësimet e tjera ishin Rakitiç dhe Vidal. Asgjë për t’u dëshpëruar. Sezoni është i gjatë dhe Manaj sigurisht që do të ketë shanse të tjera për t’u aktivizuar me katalanasit.
MES DY TALENTEVE – Përpara fillimit të ndeshjes, skuadra e Barcelonës publikoi pamjet nga dhomat e zhveshjes dhe Rei Manaj ishte i ulur mes dy lojtarëve Ansu Fati dhe Frenki De Jong. Shqiptari është një lojtar që integrohet shumë shpejt në grup sepse bën humor dhe batuta. Në stërvitje është parë gjithmonë i qeshur edhe përkrah Lionel Mesit. Sulmuesi i Kombëtares u bë lojtari i parë shqiptar që grumbullohet nga skuadra e Barcelonës, por tani objektivi i radhës është debutimi…Manaj Mesi
SERBËT – Grumbullimi i Rei Manajt me skuadrën e parë të Barcelonës ka bërë jehonë edhe në mediat serbe, teksa “Kurir” e ka cilësuar këtë fakt si një lajm tronditës. Në Serbi duken të tronditur që një futbollist shqiptar do të ketë shansin për të debutuar në “Kamp Nou” me fanellën e Barcelonës, përkrah yllit argjentinas, Lionel Mesi. “Lajm tronditës nga ‘Kamp Nou’, futbollisti shqiptar përkrah Lionel Mesit.
Ja kush është sulmuesi i ri i Barcelonës”, ishte titulli i vendosur nga “Kurir”, ndërkohë që në artikull sqarohet se Manaj është grumbulluar nga trajneri Setien dhe pritet të debutojë si titullar, për shkak të dëmtimeve të shumta në repartin ofensiv./Panorama/