Zgjedhjet në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), zyrtarisht janë hapur para disa ditëve nga Komiteti Ekzekutiv.
Pas një mandati të shkëlqyeshëm me plotë arritje të mëdha, presidenti i FFK-së, Agim Ademi synon edhe një tjetër mandat për të vazhduar punën e madhe.
I pari i FFK-së për këto vite sa ishte në krye, ka bërë disa arritje që nuk i kanë arritur as shtetet fqinjë.
Këto janë vetëm disa nga arritjet që janë bërë nga presidenti Ademi, që mjaftojnë të dëshmojnë se e meriton edhe një mandat tjetër në postin e presidentit të FFK-së.
VAR-i në Kosovë
Padyshim, një ndër arritjet më të mëdha për Kosovën ka qenë ardhja e VAR-it, edhe atë para disa shteteve të mëdha siç është Skocia, derisa ishim shteti i parë në Ballkan me këtë sistem.
Në vetëm gjashtë muaj proces, gjë që s’ka ndodhur në asnjë shtet, FFK arriti ta marrë licencën nga FIFA dhe implementimi për herë të parë u pa në ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Llapit.
Atë kohë, më i lumtur se kurrë për këtë arritje ishte i pari i FFK-së, që thoshte: “Sot jam shumë i lumtur që po e fillojmë VAR-in. Edhe zyrtarisht Kosova është me VAR dhe ai do të fillojë që nga kjo ndeshje (Prishtina-Llapi) dhe do të vazhdojë në të gjithë sezonin në ndeshjet e super-ligës. Kemi pasur problem në stadiume. Është punuar dhe intervenuar në tetë stadiume duke riorganizuar në formatin të cilin e ka FIFA për VAR”, ishte deklarata e Ademit.
VAR-i vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm dhe ndihmë e madhe për gjyqtarët tanë që gjithmonë janë ofenduar nga trajnerë të shumtë, e këta të fundit këtë edicion janë ndarë të kënaqur me referimin.
Përpos kësaj, Ademi para disa muajve edhe premtoi që shumë shpejtë jo vetëm në Superligën e Kosovës, por ndeshjet me praninë e VAR-it do të zhvillohen edhe në kuadër të Ligës së Parë.
Lidhja e mirë ndërmjet Ademit – UEFA-së dhe FIFA-së, që e ndihmon shumë përparimin e futbollit në Kosovë
Përpos punës së madhe në futbollin e Kosovës, presidenti Ademi vazhdon të këtë bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me UEFA-në dhe FIFA-në.
Në fakt, lidhjet ndërmjet Ademit dhe presidentit të UEFA-së, Aleksander Ceferin janë aq të mira, sa që ky i fundit e mbështet gjithmonë Kosovën.
Ceferin ka pasur shumë lëvdata për punën e FFK-së dhe ka bërë të ditur se janë ndër federatat e para që i realizon me kohë të gjitha projektet.
“Gjatë bashkëbisedimit presidenti Ceferin e përgëzoj presidentin Ademi për punën dhe realizimin e programit dhe projekteve të strategjisë së re të UEFA-s, duke theksuar se FFK-ja është njëra nga federatat e para që i ka realizuar të gjitha projektet. Po ashtu, Ceferin theksoi se Kosova si anëtarja më e re e UEFA-s gëzon kujdes të veçantë dhe përkrahje në vazhdimësi nga ky asociacion”, ishte premtimi i Ceferin drejtë Ademit gjatë një takimi në Stamboll.
Investimi e mëdha në klubet tona
Nuk janë të pakta klubet që kanë marrë ndihmë të madhe nga Federata e Futbollit të Kosovës në krye me presidentin Agim Ademi.
Llapi që është duke kaluar formë fenomenale sa i përket aspektit sportiv në qershorin e kaluar, falënderoi Ademin për investimin e bërë në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
“Po vazhdojnë punimet me ritëm të lartë. Falënderojmë për mbështetjen që po i jep institucioni më i lartë i futbollit, FFK në krye me Presidentin, Agim Ademi, me mbështetjen e tyre skuadra e Llapit do ta ketë stadiumin më modern në vend”, shkruhej në atë komunikatë të klubit kosovar, përcjellë Goli.
E të mos harrojmë edhe investimet e mëdha në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, të cilën e shndërruan në kompleks modern, që do t’iu ndihmojë ekipeve zinxhir të Kombëtares së Kosovës.
Këto janë vetëm disa arritje të mëdha që i ka bërë Agim Ademi për këto vite në pozitën e të parit të FFK-së, ndërsa sukseset më të mëdha priten gjatë mandatit të dytë.
Kujtojmë, se me 6 prill do zgjidhet kryetari i FFK-së dhe tashmë shumica veçse e shohin Ademin si favorit për të qëndruar edhe për katër vite në krye të futbollit kosovar.