Neymar në verë ishte shumë pranë largimit nga PSG teksa e shprehu hapur se në Francë ishte i palumtur. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të Barcelonës për ta rikthyer në “Camp Nou”, sërish marrëveshja nuk u arrit dhe në këtë formë braziliani duhej të luante edhe një sezon me parisienët.
Ky sezon nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë për sulmuesin, pasi është lënduar dy herë dhe ka humbur disa ndeshje të skuadrës.
Mirëpo, në momentin kur gjendja kishte ndryshuar, te klubi i PSG vendosën ta linin edhe për disa ditë jashtë si një masë për t’u siguruar se lojtari ishte plotësisht i riaftësuar. Madje, trajneri Tuchel vuri në dyshim edhe prezencën e 27-vjeçarit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Borussia Dortmundit.
Tekniku gjerman theksoi pas ndeshjes së Kupës ndaj Dijon se nuk mund të siguronte se Neymar do ishte me 100 për qind pjesë e skuadrës për Champions.
Një deklaratë e cila nuk i pëlqeu aspak sulmuesit, i cili në ditën pasardhëse refuzoi të stërvitej me pjesën e futbollistëve që nuk ishin aktivizuar në Kupë. Por, me arsyetimin se ndjente lodhje, qëndroi me titullarët e ekipit për një stërvitje më të lehtë, si për t’i dhënë një sinjal trajnerit Tuchel se në ndeshjen e radhës kërkonte të ishte me patjetër në fushë.