Kombëtarja e Kosovës në futboll, nesër pasdite luan miqësoren e parë të këtij vitit kundër Armenisë.
Përzgjedhësi i Dardanëve, Franco Foda në konferencën për medie, një ditë para ndeshjes, është shprehur optimist se të besuarit e tij, do të kenë paraqitje të mirë në duel me armenët.
Foda u shpreh tejet i kënaqur me stërvitjet e zhvilluara në Prishtinë, edhe pse sipas tij, dy lojtarët e Kombëtares sonë, Amir Rrahmani dhe Milot Rashica kanë pasur probleme muskulore.
“Kemi zhvilluar disa seanca të mira në Prishtinë. Lojtarët janë në formë të mirë dhe së të gjithë futbollistët janë në formë të mirë fizike. Ndërsa, Amir Rrahmani dhe Milot Rashica kanë pasur probleme muskulore, por të dytë kanë stërvitur. E shohim nëse mund të luajnë nesër”, ka thënë Foda, i cili në duel me Armeninë bën debutimin zyrtare në krye të Kombëtares sonë.
Optimist për paraqitje të mirë ndaj Armenisë, është shprehur edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.
Ai thotë se është gati për duelin me armenët. Muriqi kërkon fitore në miqësoren e nesërme.
“Edhe pse është një ndeshje miqësore për ne është shumë e rëndësishme ta fitojmë ndeshjes, pasi na duhet për motiv dhe të adaptohemi me fitore”, ka thënë Muriqi.
Ndeshja mes Armenisë dhe Kosovës fillon në orën 17:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.