Nesër mbahet shorti i Kupës së Botës 2026 – gjithçka që duhet të dini

Shorti i Kampionatit Botëror 2026 do të zhvillohet të premten, më 5 dhjetor, në qendrën Kennedy në Uashington, duke nisur nga ora 12:00 me kohën lokale (18:00 sipas orës sonë).

Ceremonia pritet të ndjekë traditën e eventeve të mëdha të FIFA-s: fjalime zyrtare, performanca artistike dhe video simbolike që nënvizojnë misionin e futbollit për të afruar njerëzit në mbarë botën.

Për herë të parë në histori, Botërori do të ketë 48 skuadra pjesëmarrëse (nga 32 më parë) dhe do të organizohet njëkohësisht në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Turneu do të zgjasë pesë javë, nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026. Të 48 ekipet janë shpërndarë në katër vazo me nga 12 ekipe.

Vazoja e parë përfshin tre vendet pritëse — SHBA, Meksika dhe Kanadaja, së bashku me nëntë përfaqësueset më të mira të renditjes aktuale të FIFA-s.

Vazot e tjera janë ndarë sipas renditjes botërore, ndërsa ekipet më poshtë në renditje janë vendosur në vazon 4.

Nga shorti do të krijohen 12 grupe, secili me katër skuadra, një nga secila vazo,sipas rregullave të FIFA-s.

Format i ri i turneut lejon kualifikimin e dy ekipeve të para nga secili grup, si dhe tetë skuadrave më të mira të vendeve të treta. Kështu, 32 ekipe do të vazhdojnë në fazën eliminatore.

Në anën tjetër, FIFA ka planifikuar të shmangë përplasjet e parakohshme mes disa prej favoritëve më të mëdhenj. Çifte si Spanja-Argjentina apo Franca-Anglia do të ndahen në kahe të ndryshme të rrugës eliminatore nëse kryesojnë grupet, duke mos u ndeshur me njëra-tjetrën deri në fazat e vona.

Turneu përfshin një raund të ri të 16-shes, që do të thotë se skuadra fituese e Botërorit do të duhet të luajë tetë ndeshje, një më shumë se në formatin e mëparshëm.

Vazot për shortin e Kupës së Botës 2026

Vazo 1: Kanada, Meksikë, SHBA, Spanjë, Argjentinë, Francë, Angli, Brazil, Portugali, Holandë, Belgjikë, Gjermani.

Vazo 2: Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria, Australia.

Vazo 3: Norvegjia, Panamaja, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite, Afrika e Jugut.

Vazo 4: Jordania, Kepi i Gjelbër, Gana, Kuraçao, Haiti, Zelanda e Re, katër ekipe evropiane të “play-off”-it dhe dy ekipe nga “play-off”-et ndërkontinentale.

Sipas formulës së re, çdo grup do të ketë pikërisht nga një skuadër prej secilës vazo. Ndeshjet që do të përcaktojnë gjashtë ekipet e fundit të kualifikuara do të zhvillohen në fund të marsit 2026.

Në këto duele, Shqipëria do të përballet në Varshavë me Poloninë, ndërsa Kosova do të sfidojë Sllovakinë në Bratislavë, me shpresën për të siguruar një biletë për finalen e madhe, e cila do të vendos kush do të shkojë në Botëror./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *