Fitorja historike 8-2 e Bayern Munich ndaj Barcelonës në çerekfinale të edicionit të fundit të Champions-it, do të sillet ndryshe në televizion. Siç njoftoi ekipi gjerman dhe platforma online e filmave dhe serialeve “Amazon Prime Video”, do të dalë një dokumentar, që tregon anën më intime të kampionit të Bundesligës, në të cilin theks i veçantë do t’i vendoset pushtimit të Ligës së Kampionëve gjatë muajit gusht të vitit të kaluar.
Kamerat kapën gjithçka që ndodhi gjatë fazës finale në Lisbonë, ato u futën në dhomën e zhveshjes së bavarezëve dhe tregojnë sekretet që çuan ekipin e Hansi Flick të regjistrojë një nga fitoret më të mëdha në historinë e tij, ose e thënë ndryshe, t’i shkaktojë Barcelonës një nga humbjet më të dhimbshme. “Kamerat ndjekin nga afër ekipin e Hansi Flick dhe i dërgojnë tifozët në zemër të Bayernit. Sukseset historike të sezonit të kaluar: fitimi i tripletës, i Superkupës Gjermane dhe Europiane, si dhe Botërori për Klube janë pjesë e këtij dokumentari, – shpjegon Bayerni në faqen e vet të internetit, ku gjithashtu njoftoi kohën kur mund të shihet dokumentari.
– Dokumentari, i cili do të transmetohet ekskluzivisht në “Amazon Prime Video” në vjeshtë, i afron njerëzit më pranë asaj që qëndron prapa historisë së kampionit rekord gjerman, që e ka dalluar Bayernin përgjithmonë dhe do të vazhdojë ta bëjë atë në të ardhmen”.
Anekdota të tilla si lotët e Karl-Heinz Rummenigge, kur takoi Thiago në garazhin e qendrës sportive, pasi spanjolli nënshkroi për Liverpool, negociatat midis klubit dhe David Alaba, si dhe kthimi i Uli Hoeness në presidencën e Bayernit, pas vuajtjes së dënimit për evazion fiskal, janë pjesë e historisë më të re të klubit bavarez, i cili ka vendosur të hapë dyert e mitikut “Säbener Straße” për kamerat e platformës në internet.
“Në një kohë kur koronavirusi po na detyron të distancohemi, ky dokumentar është një mundësi e shkëlqyeshme për tifozët tanë, që të shohin nga afër atë që po ndodh në ekipin tonë dhe në klubin tonë”, – shpjegon Karl-Heinz Rummenigge, president i bordit të Bayernit.