Kombëtarja e Spanjës e synon fitoren e dytë në kampanjën eliminatore për Kupën e Botës “2022” dhe gjithashtu të paraqitet më mirë se në dy ndeshjet e fundit para përballjes me Kosovën në mbrëmjen e së mërkurës.
Spanja e nisi kampanjën eliminatore për “Katar 2022” me një barazim zhgënjyes 1:1 ndaj Greqisë dhe më pas shënoi fitore të vështirë 1:2 ndaj Gjeorgjisë.
Në Gjeorgji, trajneri i Spanjës, Luis Enrique bëri shtatë ndryshime nga ndeshja ndaj Greqisë dhe u vu në kritika për zgjedhjet dhe dilemat në lidhje me 11-shen startuese.
Mediat spanjolle raportojnë se ndaj Kosovës do të ketë sërish ndryshime me Gerard Morenon që pritet të luajë nga fillimi pasi mungoi në dy ndeshjet e fundit shkaku i një problemi muskulor.
Top-golashënuesi i La Ligës këtë edicion do t’i jepet mundësia për ta treguar veten ndaj “Dardanëve”.
Gjithashtu, Enrique pritet të vendosë nëse do të vazhdojë në portë me Unai Simon.
Portieri i Athletic Bilbaos është bërë “portier titullar” te Spanja, por kësaj radhe Enrique mund të startojë me David de Gean ose me Robert Sanchezin.
Qendërmbrojtësi Inigo Martinez dhe sulmuesi Mikel Oyarzabal gjithashtu mund të luajnë, por që kjo varet nga gjendja fizike e Sergio Ramosit.
Krahu i djathtë poashtu është një problem te Spanja me Jesus Navasin dhe Dani Carvajalin e lënduar, teksa Marcos Llorente mund të luajë në këtë pozitë.
Ndërkaq, Pedri që luajti ndaj Gjeorgjisë, mund të vazhdojë me pozitën e titullarit bashkë me Ferran Torresin dhe Dani Olmon.