Pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë trajneri i njohur kosovar, Mehmet Fetahu – Meksa.
Ka qenë presidenti i FFK-së Agim Ademi që i ka shprehur ngushllime familjes Fetahu.
Mesazhi i plotë nga Agim Ademi:
E nderuara Familje Fetahu,
Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot na la njeriu që i dha shumë futbollit, miku dhe bashkëveprimtari im, Mehmet Fetahu-Meksa, andaj në emrin tim dhe të KE të FFK-së, më lejoni të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj më të dashur.
Meksa ishte një personalitet shumë i afërt dhe i dashur për tërë komunitetin sportiv. Ai iku sot në përjetësi për të pushuar i qetë.
Futbolli ishte ai që e lidhi miqësinë tonë qysh në rininë e hershme, e cila më pas u bë e përhershme. Me Meksën luajtëm dhe kontribuuam për futbollin e Kosovës në të njëjtën kohë, derisa më pas ai e udhëhoqi si trajner klubin tim me shumë përkushtim.
Miqësia jonë ishte e veçantë deri në ditën e fundit të jetës së tij. Me Meksën kemi ndarë e përjetuar shumë gjëra, prandaj ikja e tij në botën e përjetshme është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e futbollin, por edhe për mua personalisht.
Meksa e dha kontributin e tij për futbollin në kohët më të vështira. Ai çdo herë punoi me seriozitet, profesionalizëm e zemërgjerësi dhe asnjëherë nuk u dorëzua. Falë punës së tij dolën shumë talente, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në futbollin e Kosovës.
Meksa ishte një prind dhe kryefamiljar i shkëlqyeshëm. Me këdo ishte i afërt, teksa zemërgjerësia dhe bujaria e tij bënte që ai të kishte rreth të gjerë të shoqërisë, jo vetëm nga komuniteti i futbollit por edhe nga sferat e tjera.
Miku im, Meksa, ikja jote është e hershme, andaj është vështirë të pajtohemi me mungesën tënde, por në këtë ditë të dhembjes së madhe gjejmë forcë të lutemi që të pushosh i qetë në përjetësi.
Veprimtaria jote do të mbetet gjithmonë pjesë e paharruar e futbollit tonë, derisa kontributin tuaj do ta kujtojmë përherë me krenari.
Jam i sigurt se edhe nga bota e përjetshme do na përcjellësh e do të na mbështetësh, por edhe do të krenohesh me çdo sukses të futbollit të Kosovës, për të cilin punove me aq përkushtim e ndershmëri.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së