Qeveria italiane është duke menduar seriozisht t’i pezullojë të gjitha ngjarjet sportive në vend për një muaj, për shkak të koronavirusit, pasi 27 persona kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit.
Kjo nuk do të vlente vetëm për zonat e prekura më së shumti nga kjo sëmundje, por për çdo rajon në Itali, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, përcjell Gazeta Express.
Sipas ANSA-s, ky është propozimi që komuniteti shkencor ia ka bërë qeverisë italiane për mënyrën sesi ta ndalë përhapjen e këtij virusi.
“Shmangini për 30 ditë çdo ngjarje, përfshirë ato sportive, të cilat përfshijnë turma njerëzish, të cilët nuk e respektojnë distancën e sigurisë nga njëri-tjetri për të paktën një metër”, thuhet në propozimin e komisionit shkencor.
Numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi ka shkuar në 79, një rritje e madhe nga 27 që u raportuan deri të hënën.
Deri tani janë raportuar 2.263 raste me koronavirusi në këtë vend.
Kjo nënkupton se ndeshjet e Serie A do të pezullohen për një muaj ose do të luhen pa shikues.