Gjendja e Lorenzo Insigne mban në ankth Napolin. Skuadra e Gennaro Gattusos do të tentojë kualifikimin në çerekfinalet e Champions League të shtunën në mbrëmje (21:00). Përballë do të jetë Barcelona e Messit (1-1 ndeshja e parë në “San Paolo”), një rival shumë i vështirë, teksa objektivi komplikohet pas dëmtimit të kapitenit.
Sulmuesi u lëndua në ndeshjen e fundit të kampionatit me Lazion, sfidë që Napoli e fitoi 3-1. Kontrollet e specializuara mjekësore, konfirmuan edemë të palcës së kockës në kofshën e majtë. Insigne nuk ka humbur kohë dhe ka nisur terapitë me ultratinguj.
Ai dëshiron të jetë me çdo kusht në “Camp Nou” dhe optimizmi në kampin napolitan është rritur shumë. Lojtari pritet të kryejë një tjetër kontroll gjatë ditës së sotme, aty ku do të mësohet më shumë rreth shanseve reale për aktivizimin përballë Barcelonës.