Zbulohet arsyeja se përse Elseid Hysaj u zëvendësua në minutën e 42-të të gjysmëfinales së kthimit të Kupës së Italisë mes Atalantës dhe Napolit që përfundoi me fitoren 3-1 të bergamaskëve rezultat që çoi në finale skuadrën e Gasperinit.
Zëvendësimi i mbrojtësit shqiptar me Mario Ruin nuk kishte të bënte me një zgjedhje teknike të trajnerit Gattuso, por me një dëmtim muskular të pësuar nga Hysaj të cilin e ka bërë të ditur vetë klubi i kaltër.
Në komunikatën e Napolit shkruhet që Hysaj ka probleme në pulpën e këmbës së majtë.
Këtë të enjte kuqeziu do t’u nënshtrohet analizave të detajuara të cilat do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit.
Rikuperimi i muskulit të pulpës varion nga 3 ditë deri në 6 javë në varësi të shkallës së dëmtimit.
Mbetet për t’u parë sesa do t’i mungojë Elsi Hysaj, Napolit.