Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur pas ndeshjes kundër Sllovenisë (0:0), duke pranuar se përballja ishte e vështirë dhe se kundërshtari i detyroi “Dardanët” të mbroheshin më shumë se zakonisht.
“Lojë e vështirë për ne. Sllovenia është mbrojtur shumë kur e kishim ne topin. Personalisht nuk e nënçmoj këtë pikë – do të na vlejë shumë muajin e ardhshëm”, deklaroi Muriqi.
Ai shtoi se gjatë analizës së kundërshtarit kishin vërejtur stilin e lojës me topa të gjatë, ndaj vendosi të tërhiqej për të ndihmuar mbrojtjen.
“Kam vendosur të tërhiqem që të mos kenë mundësi të dërgojnë topa pas mbrojtjes sonë, ku janë shumë të rrezikshëm. Diferencën e bëri Sllovenia, sepse na shtyu të mbrohemi më shumë dhe ka luajtur më shumë në fushën tonë, sidomos në 20 minutat e fundit”, theksoi ai.
Muriqi shtoi se pavarësisht pritjeve të mëdha dhe euforisë, ekipi duhet të ruajë qetësinë dhe fokusin.
“Kemi pasur një rënie të vogël, ndoshta nga pritjet për fitore të thellë. Por tani jemi të përqendruar – në Suedi do të shkojmë 100 për qind të gatshëm”, përfundoi kapiteni i Kosovës.