Muriqi rikthehet në Lazio, klubi italian po e pret vendimin e Mallorcas

Vedat Muriqi e mbylli me sukses misionin për ta shpëtuar Mallorcan pa rënë nga liga.

E tash, sulmuesi kosovar do të rikthehet në Lazio, e cila e mban kartonin e tij pasi e kaloi pjesën e dytë të sezonit në forma huazimi në klubin nga La Liga.

Sipas mediave italiane, “Biancocelesti” do të presin ta kuptojnë nëse Mallorca është e interesuar për ta shfrytëzuar mundësinë e blerjes përfundimtare të “Piratit” gjatë verës.

Muriqi ka kontratë me klubin italian deri në vitin 2025, por nuk pritet të qëndrojë aty gjatë pasi e pati një eksperiencë dëshpëruese për një vit e gjysmë në “Stadio Olimpico”.

Javë më parë, mediat spanjolle shkruanin se Mallorca ka vendosur të mos e blejë kartonin e përfaqësuesit kosovar.

Por, ai e pati një përvojë të suksesshme në Spanjë duke i realizuar 5 gola dhe duke kontribuar edhe me asistime, siç bëri edhe në ndeshjen e fundit ndaj Osasunës.

Në ditët apo javët në vazhdim do të merret vesh më shumë rreth së ardhmes së 28 vjeçarit.

Nëse nuk e blen Mallorca, Muriqi mund të rikthehet në Superligën turke, aty ku e presin krahëhapur ish-klubi i tij, Fenerbahçe dhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Galatasaray.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *