Muriqi mund të largohet nga Mallorca, merr ofertë nga skuadra kampione

Mauro Icardi u huazua në shtatorin e vitit të kaluar nga Paris Saint-Germain te Galatasaray në Turqi. Në Superligën turke, argjentinasi u rikthye në versionin e tij më të mirë duke gjetur formën optimale teksa ndihmoi skuadrën të fitonte titullin kampion duke e mbyllur sezonin me 22 gola e shtatë asiste në 24 ndeshje.

Por, me përfundimin e sezonit, përfundoi edhe huazimi i 30-vjeçarit në Turqi me drejtuesit e Galatasarayt që tashmë janë të pasigurt nëse do të mund të gjejnë sërish gjuhën e përbashkët me drejtuesit e PSG. Megjithatë, ata e kanë gati planin “B” dhe ai mban emrin e Vedat Muriqit.

Sulmuesi dardan që aktivizohet me Mallorcan në LaLiga, e njeh mirë kampionatin turk duke qenë se në të kaluarën është aktivizuar me Fenerbahcen, por edhe me skuadra si Rizespor, Girezunspor e Genclerbirligi.

Megjithatë, Galatasaray do ta ketë të vështirë për të bindur Mallorcan duke qenë se në skuadrën spanjolle Muriqi është lideri i padiskutueshëm edhe pse mediat turke shprehen të bindura se me 20 milionë euro, spanjollët mund të dorëzohen.

Në sezonin e fundit, 29-vjeçari e mbylli si golashënues i Mallorcas me 15 gola të shënuar si dhe tre asistë në 35 ndeshje të LaLiga-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *