Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muqiri është parë optimist para ndeshjes me Greqinë edhe pse e ka cilësuar si një kundërshtar të fortë.
Duke folur në konferencën për mediet përpara ndeshjes me Greqinë që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, sulmuesi deklaroi se nuk dëshiron të flasë tashmë për të ardhmen, pasi rëndësi për të kanë ndeshjet e Kombëtares.
Muriqi deklaroi ndër të tjera se është i lumtur që u shpall lojtari i muajit në La Liga, pasi sipas tij kështu Spanja do duhet që ta njohë me patjetër flamurin e Kosovës.
Qipro: “Jemi në prag të një ndeshje të rëndësishme për kombëtaren tonë, kemi marrë tre pikë nga Qipro, edhe pse çaluam në pjesën e parë rëndësi ka fitorja. Tani kemi Greqinë përpara, e njohim kundërshtarin dhe kemi punuar shumë dhe shpresojmë të marrim maksimumin.”
E ardhmja: “Tani jam i fokusuar te ndeshjet e kombëtares, kam dhe tre ndeshje për të mbyllur. Jam pak i lodhur pasi kam luftuar për mbijetesë në La Liga, për momentin nuk po mendoj për të ardhmen por të jap maksimumin te këto ndeshje, kam kontratë me një klub, do kthehem atje dhe pastaj do shoh.”
Ndeshja me Greqinë: “Greqia është kundërshtar shumë i fortë, i dimë pikat tona të forta. Nuk do i bëjmë gabimet që bëmë në pjesën e parë me Qipron, sa i përket golave nuk ka rëndësi kush shënon, por fitorja. Megjithatë edhe nëse shënoj dhe fitojmë do jem shumë i lumtur.”
Lojtari i muajit në La Liga: “E di se jam ndër ambasadorët e shtetit atje, kur pash që jam shpallur lojtar i muajit jam ndjerë shumë i lumtur jo vetëm në aspektin personal, por edhe për flamurin. Pasi i dimë problemet që kemi pasur me Spanjën. Të shpallesh lojtari i muajit në një nga katër ligat më të forta në botë më bën krenar.”
Vendi i parë në grup: “Synojmë vendin e parë, por mund të them se është grupi më i vështirë në Leaguen C. Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme, pasi në një kohë të shkurtër kemi për të luajtur edhe me dy kundërshtarë që janë pak më të fortë se ne dhe shpresoj që duke filluar nga nesër të marrim avantazhin”.