Vedat Muriqi gjatë verës që vjen do të largohet nga Mallorca, ku u huazua për gjashtë muaj nga Lazio.
Sulmuesi kosovar po mundohet ta ndihmojë ekipin ishullor të mbetet në La Liga e më pas të rikthehet në Itali.
Mallorca nuk ka vendosur ta shfrytëzojë mundësinë e blerjes së kartonit të futbollistit, kështu që ai do të kthehet tek Lazio, e cila e mban kartonin e tij.
Por, ndërkohë “Biancocelesti” janë duke u munduar ta sistemojnë diku tjetër 28 vjeçarin, i cili dështoi në eksperiencën e tij prej një viti e gjysmë në kryeqytetin italian.
Lazio e vlerëson kartonin e ish-futbollistit të Rizesporit 12 milionë euro, shkruan mediumi italian “Lazio News 24”, përcjell “Gazeta Express”.
Por, drejtori sportiv, Igli Tare është i vetëdijshëm se do të jetë e vështirë që ndonjë klub t’i shpenzojë aq para për përfaqësuesin kosovar.
Tashmë dihet se lojtari dëshiron të rikthehet në Superligën turke, ku e pëlqejnë Fenerbahçe dhe Galatasaray.
Megjithatë, asnjëri klub nuk ka bërë ende ofertë zyrtare për prizrenasin.
Lazio po e pret presidentin e Fenerit, Ali Koç, i cili mund të prezantohet gjatë verës me një ofertë për ish-futbollistin e tij.
Muriqi ka kontratë me klubin nga Serie A deri në vitin 2025, ndërsa Lazio e kishte blerë atë nga Fenerbahçe për afro 20 milionë euro.