Prishtina ka shënuar fitore të thellë në ndeshjen e javës së shtatë kampionale kundër Malishevës.
Bardhekaltrit e drejtuar nga Ismet Munishi fituan 4:2 ndaj Malishevës në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Kryetrajneri i Prishtinës, Ismet Munishi ka komentuar lojën pas ndeshjes, duke u shprehur i lumtur me angazhimin e futbollistëve.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur me lojën dhe angazhimin e futbollistëve. Jemi të përgatitur shumë fizikisht. Djemtë kanë punuar gjatë fazës përgatitore dhe gjatë gjithë kësaj kohe. Kemi shumë karakter brenda ekipit. Pas pjesës së parë, rezultati ishte i thellë. Ishin gola të shënuar pak a shumë të ushtruar në stërvitje. Sulmuam me shumë lojtarë sulmues. Shfrytëzuam rastin të bëjmë rotacion për shkak të orarit të ngjeshur dhe ndeshjes me Drenicën. Jam shumë i lumtur me rezultatin. Kemi mposhtur një skuadër të fortë si Malisheva. Sot ishim shumë në element. Në pjesën e parë luajtëm në mënyrë fantastike dhe duhet t’i qasemi në mënyrë të tillë çdo ndeshjeje”, tha Munishi për Art Sport.
Munishi tutje shtoi se ekipi i tij do të luajë lojën më të mirë në Kosovë.
“Prishtina do ta luajë futbollin më të mirë në Kosovë. Kemi punuar që t’i thyejmë linjat e mesfushës dhe mbrojtjes së kundërshtarit. E kemi një projekt shumë afatgjatë. Duhet ta bëjmë lojën tonë që t’i kënaqim tifozët, “Plisat”, dhe kjo është mënyra se si duhet të luajë Prishtina”, shtoi trajneri prishtinas.
Prishtina me këtë fitore zë vendin e tretë me 11 pikë, ndërkohë Malisheva ka shtatë pikë në pozitën e pestë.