Munishi pas fitores ndaj Ulpianës: Me paraqitje të tilla bëhemi kampionë

Ismet Munishi numëroi shumë anë pozitive që pati ekipi tij në fitoren ndaj Ulpianës me rezultatin 2:0. Ndeshja në mes të Gjilanit dhe Ulpianës u zhvillua në fushën me bari sintetik për shkak të gjendjes së rënduar të fushës në stadiumin e qytetit. Munishi u nda i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij. Ai theksoi se vetëm me një paraqitje si ndaj Ulpianës ekipi tij mund të shpallet kampion.

“Në pjesën e dytë nuk ishim skuadër e barabartë, pasi ne patëm gjithçka në dorën tonë. Krijuam raste të shumta për gol, rritëm presionin, shpejtësinë, ritmin dhe me meritë arritëm ta fitojmë ndeshjen. Më vjen mirë që shënoi Shend Kelmendi dhe ishte ndër lojtarët më të mirë të ndeshjes. Edhe për Edision Kqikun më erdhi mirë për paraqitjen, pasi ende nuk ke kemi parë Edisonin e vërtetë. Për tjerët mos të flas që janë dëshmuar në çdo ndeshje. Të gjithë kanë treguar lojë të shkëlqyer. Edhe Arion Ymeri ishte i sigurt”, ka thënë Munishi.

Gjilani me fitoren ndaj Ulpianës ka arritur në shifrën e 46 pikëve, ndërsa ndeshjen e radhës e luan kundër Dritës, derbi lokal.

“Ekipi tregoi siguri dhe krijoi aksione të rrjedhshme. Kishim siguri në qarkullimin e topit dhe kjo na bën një skuadër kampione. Isha i kënaqur me lojën, pavarësisht rezultatit. Duhet të jemi pak më konkret në realizimin e golave. Pres mbështetje edhe më të madhe nga ‘Skifterat’ të cilët i falënderoj që na rrinë afër gjithnjë. Shpresoj ta mbyllim me fitore edhe derbin dhe ndeshjet e tjera”, është shprehur Munishi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *