Gjilani këtë vit ka dështuar keq. Përveçqë herët u eliminua nga garat e Kupës ajo herët doli edhe nga lufta për titullin e kampionit duke bërë që në një periudhë ta mendojë madje edhe mbijetesën në Superligë.
Megjithatë, me ardhjen e trajnerin Ismet Munishi në krye të skuadrës, ajo duket se u stabilizua dhe tashmë po mendon për edicionin e ri ku edhe po e synon edhe titullin e kampionit, shkruan Demokracia.com.
Këtë e ka thënë edhe trajneri Munishi, në një prononcim për RTV “Dukagjini”.
“Në edicionin e ri ne do të luftojmë fuqishëm për titullin kampion. Do ta ndryshojmë stilin e lojës dhe do të ketë ndryshime në kuadrin e lojtarëve. Do të sjellim futbollistë të stilit të cilin ne e kërkojmë dhe ku do të arrijmë do të varet nga shumë faktor, mirëpo ne që nga ndeshja e parë do të futemi për titullin kampion”, deklaroi Munishi.
Tekniku i “Skifterave” theksoi se do të sjellin edhe disa futbollistë për ta shtuar konkurencën brenda ekipit.
“I kemi identifikuar disa futbollistë të rinjë brenda klubit dhe disa futbollistë të cilët priten të vijnë. Besoj në një Gjilan të fuqishëm dhe për këtë do të punojmë shumë”, deklaroi Munishi.
Edicionin 2020/21 skuadra e Gjilanit do ta mbyll në pozitën e katërt të renditjes tabelare, ndërkohë që ndeshjen e fundit të këtij kampionati do të ndeshet me Besën e Pejës.