Mund të ndryshojë rregulli i pozicionit jashtë loje shkaku i polemikave të shumta për golin e Mbappes n’finale

Presidenti i Komisionit të Arbitrave në UEFA, Roberto Rosetti ka ndërhyrë për të qartësuar debatin e lindur pas akordimit të golit të Kylian Mbappe në finalen e Ligës së Kombeve Francë-Spanjë, pasi shumica mendonin se duhej akorduar pozicion jashtë loje.

Ish arbitri italian i doli në mbrojtje anglezit Taylor, duke thënë se bëri një interpretim korrekt të formulimit të rregullit të pozicionit jashtë loje, por pranoi se vetë ky rregull ka nevojë për korrigjim, pasi bie në kundërshti me veten.

‘Goli i Mbappe vlen dhe Taylor i bëri një interpretim korrekt rregullit të pozicionit jashtë loje, por kjo është një temë në zhvillim dhe natyrisht që ka nevojë për përmirësim. Vetë rregulli i pozicionit jashtë loje bie në kundërshtim me veten, ndaj unë u kam shkruar kolegëve në FIFA dhe IFAB-it, që të marrin në konsideratë një ndryshim”, u shpreh Rosetti. Kylian Mbappe shënoi dhe vulosi suksesin e Francës në Ligën e Kombeve, por në nisje të aksionit ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje, megjithatë një prekje e topit nga ana e një futbollisti spanjoll, bëri që arbitri anglez Taylor ta konsideronte të rregullt aksionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *