“Mund të jetë një skuadër me fanella të kuqe” – Pochettino duket se ka arritur tashmë marrëveshje me Manchester United

Sky Sports kishte një mysafir special për të diskutuar për zhvillimet e fundit në futboll, Mauricio Pochettinon.

Ish-trajneri i Tottenham Hotspurit, ishte i ftuar në mediumin ndërkombëtar, derisa në mes të tjerash ka folur edhe për të ardhmen e tij.

Argjentinasi është i papunë që kur u shkarkuar nga Spurs në fund të vitit të kaluar, duke u zëvendësuar nga Jose Mourinho.

I pyetur se cili është destinacioni i tij i radhës, Pochettino ka thënë se nuk do të refuzojë asnjë ofertë dhe do t’i shqyrtojë ato.

“Nuk e di. Nuk jam duke i mbyllur derën askujt. Kam mësuar që kur isha i ri nga ish-trajneri im Jorge Griffa, se duhet shikuar të gjitha gjërat në detaje”, ka thënë strategu argjentinas.

Më pas pasoi pyetja nga gazetari i Sky Sports se a është një skuadër që ka fanellat e kuqe (Manchester United).

“Mund të jetë një skuadër me ngjyra të kuqe”, ka thënë Pochettino duke qeshur.

Kujtojmë se Ole Gunnar Solskjaer mund të shkarkohet nga Unitedi në ditët e ardhshme, pas rezultateve të dobëta që po merr në Ligën Premier, sidomos nga humbja 1-0 në shtëpi përballë Arsenalit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *