Trajneri i Tottenham, Jose Mourinho, është tallur me Manchester City, në lidhje me përpjekjet e tij për ta blerë Lionel Messin e Barcelonës këtë verë.
Messi e tronditi botën e futbollit muajin e kaluar kur e njoftoi Barçën se dëshiron të largohet nga klubi, transmeton GE.
City ishte favorit për ta afruar superyllin argjentinas, derisa u tha se Pep Guardiola madje kishte biseduar me 33-vjeçarin për kalimin e tij në Etihad.
Thuhej se City Football Group i kishte ofruar Messit kontratë pesëvjeçare në vlerë 700 milionë euro për të luajtur tri vjet për Man City dhe pastaj dy vjet të tjera për New York City në MLS.
Megjithatë, pasi Messi vendosi të qëndrojë në Barcelonë, Mourinho e kritikoi Cityn që tentoi ta blinte argjentinasin, duke thënë se një klub që përpiqet ta blejë Messin nuk i respekton rregullat e UEFA-s për ndershmëri financiare.
I pyetur nëse do të donte ta blinte Messin, Mourinho tha në një video promovuese për lojën online Top Eleven: “Për ekipin tim në Top Eleven?”
“Jo, jo për Tottenhamin. Vetëm për ekipin tim në Top Eleven”, shtoi ai.
“Ne në Tottenham i respektojmë rregullat e ndershmërisë financiare”.
“Messi mund të shkojë vetëm në një ekip që nuk i respekton rregullat e ndershmërisë financiare”, theksoi ai.