Kombëtarja e Kosovës e fillon të premten misionin në Ligën e Kombeve.
‘Dardanët’ do ta zhvillojnë ndeshjen e parë ndaj Rumanisë në ‘Fadil Vokrri’.
Pjesë e grupit C2 të Ligës së Kombeve është edhe Lituania e Qipro, kombëtare me të cilën Kosova do të përballet më 9 shtator.
Në kualifikimet për “Euro 2024”, Kosova e Rumania janë përballur dy herë. Më 16 qershor të vitit të kaluar në Prishtinë, ndeshja kishte përfunduar 0-0.
Më pas më 12 shtator në Bukuresht, rumunët fituan 2-0. Të dy ndeshjet u karakterizuan me telashe të shkaktuara nga huliganët rumunë, në veçanti në ndeshjen në Rumani, atje ku kishte edhe thirrje skandaloze anti-Kosovë.
Të gjitha biletat për ndeshjen e së premtes tashmë janë shitur dhe pritet të ketë atmosferë të jashtëzakonshme në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. ‘GazetaBlic Sport’ mëson se do të ketë një koreografi të veçantë të përgatitur nga tifo-grupi ‘Dardanët’.
Gjithçka do të zbulohet nga ana e tyre para ndeshjes, me tifozët që absolutisht do të jenë një forcë e shtuar për futbollistët e kombëtares tonë.