Ministrja spanjolle e Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit, Arancha Gonzalez Laya, e ka komentuar çështjen e ndeshjes së futbollit ndërmjet vendit të saj dhe Kosovës.
Të mërkurën (31 mars), “Dardanët” janë mysafirë të “Furisë së kuqe” në Sevilla, ku do të zhvillohet sfida e vlefshme kualifikuese për Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, megjithatë Federata jonë e futbollit është e pranuar në UEFA dhe FIFA, ashtu që sipas një vendimi të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, vendet që nuk duan të luajnë ndaj klubeve tona apo reprezentacionit në territorin e tyre, duhet t’i bëjnë organizimet në terren neutral, derisa duhet të udhëtojnë në Kosovë për t’i zhvilluar sfidat si mysafir.
Sipas “ServiMedia”, Gonzalez Laya është detyruar të sqarojë nëse “fakti që ndeshja e futbollit në mes dy përfaqësueseve që zhvillohet në Sevilla, nënkupton që qeveria e Spanjës po korrigjon pozicionin e vet mbi njohjen e Kosovës”. “Europa Press” citon ministren të ketë thënë që të mos ngatërrohet futbolli me politikën.
“Futbolli është futboll dhe rregullat e futbollit janë të vendosura nga FIFA”, është përgjigjur ajo kur u pyet për këtë çështje gjatë një konferencë të përbashkët me homologun algjerian, Sabri Boukadoum, duke shtuar se rregullat “e njohjes së një vendi janë të vendosura nga Ligji Ndërkombëtar. Këto dyja nuk duhet të ngatërrohen”.
“Të mirëpresim një ndeshje të mirë futbolli”, ka thënë më tej ministrja duke besuar në fitoren e Spanjës dhe njëherësh ka thënë se dëshiron që Athletic Bilbao ta fitojë Kupën e Mbretit ndaj Real Sociedadit.