Milani e vazhdoi formën e mirë edhe në xhiron e 34-t të Serisë A, kur arriti të regjistrojë fitore me rezultat 5:1 kundër Bolognas, për t’u ngritur kështu në pozitën e gjashtë në tabelë, vend ky kualifikues për në Ligën e Evropës.
Skuadra e Stefano Pioli nuk di për humbje që nëntë ndeshje – ecuri kjo gjatë të cilës i kanë fituar gjashtë ndeshje, ndërsa i kanë barazuar vetëm tri. Këtë ecuri e vazhduan kuqezinjtë të shtunën me fitoren e arritur në San Siro kundër Bolognas, raporton Gazeta Express.
Hapin e parë drejt fitores Milani e bëri dhjetë minuta pas fillimit të ndeshjes, kur Alexis Saelemakers e shënoi golin e parë për ta zhbllokuar rezultatin.
14 minuta më vonë, Hakam Calhanoglu e dyfishoi epërsinë e Milanit, që megjithatë u përgjysmua pak para fundit të pjesës së parë, kur Bologna shënoi përmes goditjes së bukur gna Takehiro Tomiyasu.
Pjesa e dytë i takoi Milanit, që shënoi në minutën e 49-të përmes Ismail Bennacer, në minutën e 57-të përmes Ante Rebicit në formë dhe nga Davide Calabria pak momente para fundit të ndeshjes.
Kjo fitore me rezultat 5:1 bën që Milani të ngrihet në pozitën e gjashtë në tabelën e Serisë A, që ia jep një vend në fazat kualifikuese për Ligën e Evropës. Megjithatë kundërshtaret e saj për dalje në Evropë, Roma (e pesta në tabelë, një pikë më shumë se Milani) dhe Napoli (i gjashti në tabelë, tre pikë më pak se Milani) s’i kanë zhvilluar ende ndeshjet e kësaj xhiroje.