Presidenti i Barçës, Joan Laporta, ka sqaruar një herë e mirë polemikën e krijuar nga largimi i Lionel Messit.
“Ylli” argjentinas ishte shumë kritik me presidencës “blaugrana”, duke u shprehur se “askush nuk më kërkoi të luaja falas, por në të njëjtën kohë më duket se fjalët që tha presidenti nuk janë në vend. Më lëndoi, sepse nuk ishte e nevojshme të hiqte përgjegjësitë, duke mos marrë përsipër pasojat. Fjalët e Laportës i shtyjnë njerëzit të mendojnë për gjëra që nuk i meritoj.”
Laporta dha versionin e tij, duke lënë të kuptohet se Messi duhej ta kishte thënë vetë nëse ishte i gatshëm të luante falas.
“Dua ta sqaroj një herë e mirë. A do të kishte luajtur Messi falas për një vit? Kurrë nuk i kam kërkuar Messit të luajë falas. Ai ka të drejtë sepse, përveç kësaj, ai është lojtari më i mirë në botë. Ne e dinim që ai kishte një ofertë të rëndësishme dhe ishte absurde t’i kërkonim të luante falas. Kërkesa duhej të vinte nga ai, jo nga unë. E thashë, është krijuar një polemikë që është e falsifikuar në origjinë”.
Laporta, më pas foli edhe për projektin e Superligës së Europës, të cilin vazhdon ta mbështesë me forcë.
“Projekti vazhdon. UEFA nuk dëshiron të heqë dorë nga organizimi i Championsit. Ne duam ta drejtojmë vetë garën, jemi ne ata që kemi detyrimin të paguajmë futbollistët. Mund të sigurojmë më shumë të ardhura, pa na marrë UEFA 25%. Është e drejta e konkurrencës së lirë dhe UEFA nuk mund ta shkelë. Klubet e mëdha e kanë këtë ide. Kur Gjithçka filloi, anglezët thanë se po prisnin Barçën. Anglezët duan të kthehen në Superligë, por ata u larguan për shkak të presionit politik. Ne ia dolëm që të mos ishte një garë e mbyllur. Dhe ne duam të jemi pjesë të familjes së futbollit, të UEFA-s. Por klubet duhet të jenë më të rëndësishme. Dhe ne jemi më se të aftë të organizojmë një garë që do të jetë më tërheqësja në botë”.
Në fund, Laporta konfirmoi se ai ka pesë oferta për të drejtat e emrit në “Camp Nou” (do të sigurojnë 30 deri 40 milionë euro në vit), ndërsa për situatën e Dembelesë, theksoi:
“Ne duam që ai të vazhdojë. Edhe ai dëshiron të qëndrojë. Jam tifoz i Dembélésë, për mua është më i mirë se Mbappé.”