Messi reagon kundër Abidalit, e kritikon ashpër për deklaratën e tij

Lionel Messi ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së drejtorit sportiv të Barcelonës, Eric Abidal, shkruan Insporti.com.

Abidal ditë më parë ka kritikuar futbollistët e Barcelonës për paraqitjet e tyre të dobëta, e që sipas tij kanë quar në shkarkimin e trajnerit spanjoll Ernesto Valverde. “Shumë futbollistë nuk ishin të lumtur dhe nuk punonin shumë dhe po ashtu kishte probleme me komunikimin brenda grupit. Marrëdhëniet mes trajnerit dhe zhveshtores kanë qenë gjithmonë të mira, por ka gjëra që unë i shoh si ish-lojtar. I thashë klubit atë që e mendoja dhe na u desh ta merrnim një vendim”.

Futbollisti më i mirë në botë ka reaguar përmes rrjetit social Instagram, ku i ka kërkuar Abidalit që të flasë emra dhe të merr përgjegjësi për punën e tij.

“Sinqerisht, mua nuk më pëlqen ta bëj këtë, ama mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e vet dhe ta marrin përgjegjësi për vendimet e veta. Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë, ne po ashtu, jemi të parët që e pranojmë kur nuk luajmë mirë. Edhe ata që udhëheqin me drejtorinë e sportit duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i marrin vetë vendimet që u takojnë. Për fund, mendoj se kur flet për lojtarët, duhet të thuash emra sepse ndryshe po ia njollos emrin secilit dhe po i ushqen thashethemet që shpërndahen dhe nuk janë të vërteta”, thuhet në reagimin e Messi.

Valverde u shkarkua nga posti në janar pas humbjes në Superkupë kundër Atletico Madridit. Zëvendësuesi i tij është Quiqe Setien, ish trajner i Real Betis.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *