Messi e thyen heshtjen, zbulon çka u fol në takimin e krizës në klub

Lionel Messi e ka thyer heshtjen për çështjen kontroverse se Barcelona e kishte paguar një agjenci për marrëdhënie me publikun për të shpërndarë fjalë negative për legjendat e klubit, përfshirë për vetë argjentinasin.

Messi ka këmbëngulur se nuk di më shumë se ajo që është thënë në publik për këtë çështje, transmeton GE.

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e mbajti dje një takim me lojtarët e ekipit të parë, për t’i sqaruar akuzat se bordi e kishte punësuar kompaninë “i3 Ventures” për të krijuar llogari në rrjetet sociale përmes të cilave do të njollosnin kundërshtarët e Bartomeut në klub.

Sulmuesi argjentinas tha një ditë pas atij takimi se presidenti i klubit ua kishte thënë lojtarëve të njëjtat fjalë që i kishte thënë në publik.

“E vërteta është se kjo gjë më ka habitur, sepse nuk isha këtu por duke udhëtuar”, tha Messi në një intervistë me Mundo Deportivo, e cila do të dalë e plotë më vonë.

“Kur mbërrita kuptova më shumë për gjithçka. Presidenti na i tha të njëjtat gjëra që i kishte thënë në publik, të njëjtat që i kishte thënë në konferencë për media”, shtoi ai.

“Ai na tregoi sesi ishte puna dhe çfarë kishte ndodhur. Nuk them dot më shumë. Duhet të presim dhe të shohim, sepse na është thënë se ka edhe prova për këtë. Për mua e gjitha ishte shumë e çuditshme”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *