Eden Hazard është tërhequr nga kombëtarja e Belgjikës, fanellën e së cilës e veshi plot 126 herë duke shënuar në total 33 gola gjatë 14 viteve që dha kontributin e tij me “Djajtë e Kuq”.
Kapiteni luajti Botërorin e tretë në Katar 2022, aventurë që përfundoi keq, pasi Belgjika dështoi të kalonte fazën e grupeve.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, lojtari i Realit të Madridit lajmëroi fundin e aventurës me Kombëtaren, ndërkohë që shkruan:
“Koha për të ndryshuar faqe. Faleminderit për dashurinë dhe mbështetjen tuaj të pashoqe. Faleminderit për të gjithë momentet e gëzuara që kemi ndarë prej vitit 2008.
Sot vendosa t’i jap fund aventurës sime ndërkombëtare për t’u lënë vendin të rinjve. Do të më mungoni shumë”, shkruan 31-vjeçari.
Pavarësisht se në dekadën e fundit Belgjika kishte një brez të shkëlqyer lojtarësh, Eden Hazard me shokë nuk ia dolën të dërgonin në Bruksel asnjë trofe të rëndësishëm.