Kurrë nuk duhet të dorëzohesh! Ky është mesazhi i historisë të jashtëzakonshme të portierit të Chelseat, Mendy, i cili në vitin 2014-të ishte i papunë, ndërsa sot u bë “gardiani” i parë afrikan, i cili arrin të fitojë Championsin.
Duket si një përrallë, por historia e 29-vjeçarit është me të vërtetë e jashtëzakonshme! Në vitin 2014, ai ishte duke lënë futbollin. I liruar nga skuadra e tij në kategorinë e tretë në Francë (Sherburg). Merkatoja po mbyllej dhe agjenti nuk po u përgjigjej telefonatave të tij, sepse nuk donte që t’i thoshte që askush nuk e donte.
Me të dashurën e tij, e cila priste fëmijën e parë, ata nuk kishin para për të paguar qiranë e një apartamenti në periferi të Le Havër, ndërsa ai stërvitej pa pagesë në akademinë e një klubi lokal. Ishte 23 vjeç, viti kur shumë futbollistë janë në kulmin e karrierës së tyre. Dhe kur një shok i ofroi mundësinë për t’u bërë menaxheri i dyqanit të tij të veshjeve, Mendi, i cili kishte qenë një student i shkëlqyer, kujton se sa pranë ishte pranimit të asaj oferte. “Por nuk u dorëzova kurrë”, – kujton portieri që sot fitoi trofeun më të rëndësishëm në Europë për klube.
Tetë ditë pasi shoku o ofroi atë vend pune, Mendy mori një telefonatë nga Marseja që i ofronte shansin për të shkuar atje dhe bërë portierin e katërt. Ishte momenti kur gjërat ndryshuan. Atij iu ofrua një kontrate 1-vjeçare amatori me rrogë minimale. Luajti disa ndeshje me rezervat, por mjaftueshëm për t’i rënë në sy Reimsit në Ligën e Dytë dhe në sezonin 2016-‘17 ishte portieri rezervë i tyre.
Fati i buzëqeshi pas vetëm 5 minutash në ndeshjen e parë të sezonit kundër Amjësë. Portieri titullar i Reimsit, Johan Karraso, doli me karton të kuq. Mendi e zëvendësoi, luajti mirë dhe fitoi më shumë minuta. Sezonin e ardhshëm, u bë numri 1 i Reims. Nuk pësoi gol në 19 ndeshje nga 38 javë kampionat dhe klubi u ngjit në Ligën e Parë.
Luajti çdo ndeshje në elitë në sezonin e tij të parë atje dhe pastaj iu afrua Ren, ku Peter Çeh kishte luajtur përpara se të transferohej te Çelsi. Mendi debutoi edhe me kombëtaren e Senegalit. Dhe në fillim të sezonit, kur Kepa Arrizabalaga po vuante në portën e Çelsit, dy vite pasi erdhi nga Bilbao, Çelsi njoftoi se kishte paguar 22 milionë te Ren për Mendinë. Gjithë kjo sakrificë e tij u shpërblye mbrëmjen e sotme me trofeun e Champions-it. “Ky është leksioni që dua t’i mësoj tim biri. Që të mos dorëzohet kurrë si babai i tij”, u shpreh Mendy.