Betim Fazliji është futbollisti i radhës i cili ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Mediet në Zvicër kanë reaguar në lidhje me vendimin që Fazliji të aktivizohet për Kosovën.
Përzgjedhësi i Kosovës, zvicerani Bernard Challandes, sot e ka shpallur listën e futbollistëve të ftuar për tri ndeshjet e radhës në muajin nëntor, kurse Fazliji ishte një nga befasitë e kësaj liste.
Kosova si fillim e sfidon Shqipërinë me 11 nëntor për takim miqësor, e më pastaj për takimet e Ligës së Kombeve në Ligën C. Si fillim ndaj Sllovenisë në Lubjanë me 15 nëntor dhe tri ditë më vonë në “Fadil Vokrri”, kundër Moldavisë.
Gazeta më e madhe zvicerane, Blick ka shkruar se Kosova “ua vodhi” një lojtar shumë të talentuar.
Fazliji luan në Zvicër te skuadra St. Gallen.
Ai më parë ka qenë pjesë e grupmoshave të Zvicrës U-21 me të cilën është paraqitur në dy ndeshje.
Betim Fazliji është 21-vjeçar dhe aktivizohet si mesfushor defanziv dhe mund të aktivizohet edhe si mbrojtës.
Falziji është i lindur në Luginën e Preshevës dhe vjen nga fshati Tërrnoc. Karrierën e ka nisur në futbollin zviceran.
Në qershor të vitit 2019, Fazliji e ka nënshkruar kontratën e parë profesionale, ndërsa ka debutuar në korrik të vitit 2019 me klubin e tij St Gallen.
Këtë sezon ai i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet me ekipin e parë (gjashtë), ku ka shënuar edhe një gol.