Neymar Junior mund të ndëshkohet rëndë nga komisionet juridike për shkak të gjestit të pahijshëm në momentin e përplasjes mes futbollistëve të të dyja skuadrave (PSG-Olimpique Marseille 0-1).
Braziliani goditi me grusht pas koke kundërshtarin (Alvaro), me gjyqtarin që u ndihmua nga pamjet filmike për t’i treguar kartonin e kuq. Si shkaktarët kryesorë të kaosit të krijuar morën karton të kuq Kurzawa, Paredes e Neymar për PSG-në dhe Amavi e Benedetto për Marseillen.
Në momentin kur po dilte nga fusha, Neymar iu afrua kameras dhe u justifikua me këto fjalë: “E godita, sepse është racist”.
Neymar, në fakt, nuk u mjaftua me kaq. Ai reagoi pak më vonë edhe në rrjetet sociale, ku postoi mesazhin: “Keqardhja e vetme është që nuk e godita në fytyrë atë debil!”
Por çfarë e bëri Neymarin të humbte qetësinë dhe të vazhdonte të shprehej keq për kundërshtarin edhe pas përfundimisht të ndeshjes?
Në minutën e 38-të, Angel di Maria bëri një veprim të pahijshëm, të papranueshëm dhe të dënueshëm sidomos në këtë periudhë pandemie. Argjentinasi pështyu drejt Alvaro Gonzalez, por fatmirësisht pa e goditur.
Mesfushori spanjoll mësohet se ka debatuar edhe me Neymarin, të cilit i është drejtuar me fjalët: “Mbylle gojën, majmun!” Pikërisht këto fjalë Neymari i mbajti “vëth në vesh” dhe gjeti rastin për të marrë hak me grushtin pas koke në momentin e zënkës masive mes futbollistëve të të dyja skuadrave, në kohën shtesë.