Nëse një javë më parë ishte Unai Emery ai që pretendoi se Kylian Mbappe kishte menduar të transferohej te Real Madridi gjatë kohës së tij si trajner i PSG-së, tani është Adil Rami i cili nuk ka asnjë dyshim për kalimin e talentit francez në “Santiago Bernabeu”.
Mbrojtësi 34-vjeçar francez, aktualisht pjesë e Boavistas në Portugali, i intervistuar nga “RMC Sport” ishte i prerë kur u pyet për Kylian Mbappen.
“Mbappe te Real Madridi? Mendoj se është e kryer, sepse negociatat për rinovimin e tij nuk po përparojnë. Kam përshtypjen se ai shqetësohet kur flitet për zgjatjen e kontratës së tij. Dhe kur diçka e shqetëson ai nuk dëshiron të dijë asgjë më shumë”.
E ardhmja e Kylian Mbappes është një nga të panjohurat e mëdha të PSG-së. Leonardo ka bërë të pamundurën që lojtari që është në qendër të projektit (së bashku me Neymar) të rinovojë kontratën, madje duke i ofruar atij pagën e Neymarit në Paris.
Sidoqoftë, sulmuesi ende nuk ka folur rreth ofertës së drejtorit sportiv dhe sezonin e ardhshëm ai mund të largohet nga kryeqyteti francez për të ndërmarrë një hap cilësor në karrierën e tij.