Pas lajmit të publikuar nga The Times se Kylian Mbappe dëshiron të largohet nga Paris Saint-Germaini, mediat sportive e kanë lidhur menjëherë francezin me Real Madridin.
21-vjeçari ka vendosur të bëjë një ndryshim të madh në karrierën e tij futbollistike, ndërsa është raportuar se ia ka bërë me dije klubit se dëshiron të largohet në verën e vitit 2021.
AS ka bërë listën me pesë arsyet pse Mbappe duhet të nënshkruajë për “Los Blancos”.
Admirimi për Zidane
Si fëmijë, Kylian ka qenë tifoz i legjendës Zinedine Zidane dhe mundësia për të luajtur nën drejtimin e tij do të ishte një ëndërr. Njëherësh, në “Santiago Bernabeu” ka luajtur edhe njëri nga idhujt e tij, Cristiano Ronaldo.
Liga e Kampionëve
Me Monacon ka arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2017, ndërsa me PSG-në luajti në finale, teksa Reali është klubi që e ka fituar më së shumti trofeun e madh dhe mund t’ia realizojë një tjetër ëndërr.
Topi i Artë
Edhe si kampion bote (në vitin 2018), ai arriti vetëm i katërti në listën e Topit të Artë. Shndërrimi në një yll të madh te “Los Blancos” dhe triumfi eventual në Ligën e Kampionëve do ta afronte shumë më tepër te çmimi prestigjioz individual. Zidane, Ronaldo, Luis Figo, Cristiano Ronaldo (që e ka fituar katër herë me fanellën e Realit) e Luka Modric janë emrat që e kanë fituar Topin e Artë duke luajtur për “Mbretërit”.
Ambiciet e reja
Klubi spanjoll është duke bërë reforma dhe një nga to është përmirësimi i stadiumit. “Santiago Bernabeu” i ri pritet të jetë një prej arenave më moderne dhe më mbresëlënëse në botën e futbollit.
Madridi si shtëpi
Duke e pasur trajner bashkëkombësin e tij, Zidane dhe stafin trajnues, Mbappe do të ndihej si në shtëpi në Madrid, pasi zhveshtoren do ta ndante me yjet franceze, si Raphael Varane, Karim Benzema, Ferland Mendy dhe me shumë mundësi Eduardo Camavinga e Dayot Upamecano në vitin e ardhshëm. Një Real me yje franceze, do t’i mundësonte atij të shndërrohej në “Cristiano Ronaldon e dekadës së re”.