Mario Mitaj në “radarët” e gjigandëve të Serie A

Mario Mitaj në fokusin e Juventus. Është ky lajmi i bujshëm që publikon “Tuttosport”, një media shumë pranë klubit bardhezi. Në artikullin dedikuar merkatos së ardhshme së “Zonjës së Vjetër”, “Tuttosport”, thekson se mbrojtësi i kombëtares është në listën e drejtorit sportiv të Juventus, Cristiano Giuntoli.

Ky i fundit kërkon të bëjë një lëvizje pa shumë bujë si ajo e Kvaratskhelias apo Kim te Napoli që ishin lojtarë me profil të ulët, por me shumë “marsh” përmirësimi. Madje, për Mitajn që aktualisht është pjesë e Lokomotivës së Moskës në Rusi, Giuntoli nuk do të presë as ndryshimin e mundshëm të trajnerit, pasi është i bindur se 21-vjeçari është gati për një eksperiencë të madhe.

Sipas “Tuttosport” në miqësoren që Shqipëria do të luajë më datë 22 mars në Tardini të Parmës ndaj Kilit, drejtues të Juventus do ta vëzhgojnë me një kujdes të veçantë paraqitjen e Mitaj.

Mitaj u transferua në Rusi verën e vitit 2022 për shifrën e tre milionë eurove nga Aek-u i Athinës ndërsa tashmë kartoni i tij vlerësohet diku te pesë deri në gjashtë milionë euro duke qenë tërësisht i përballueshëm për Juventusin që ka nisur tashmë planin për rinovuar ekipin me lojtarë të rinj dhe me kosto të ulëta.

Në rast se ky lajm konfirmohet, atëherë padyshim që për Mitajn do të ishte shansi i karrierës pasi bëhet fjalë për një nga klubet më të rëndësishme të Italisë dhe Europës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *