Barcelona fitoi Superkupën e Spanjës për herë të 14-të rekord pasi mundi Real Madridin 3:1 në finalen e Riadit në stadiumin King Fahd para 60 mijë shikuesve. Ishte edicioni i 39-të i Superkupës së Spanjës, i katërti që u zhvillua si një mini-turne me katër ekipe dhe i treti në Arabinë Saudite.
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, pas ndeshjes pranoi se madrilenët ishin në formë të keqe dhe Marca nga Madridi, në komentin e ndeshjes, e vlerësoi shumë keq lojën e Luka Modricit, i cili luajti deri në minutën e 65-të, kur u zëvendësua nga Daniel Ceballos.
“Në fund të ditës gabimet paguhen dhe Reali ka mbledhur shumë prej tyre. Ai ia doli falë një kolapsi në mbrojtje të udhëhequr nga Rüdiger dhe Carvajal. Ishte një paraqitje katastrofike nga të dy. Fizikisht Luka Modric është i shkrirë. Ai është lojtari mbi të cilin ndjehen më shumë pasojat e të luajturit në Kupën e Botës. Ai është jashtë loje në çdo moment. Ai u përpoq të lidhte lojën, të lidhej me sulmuesit, por nuk ia doli të ketë sukses sepse i gjithë ekipi e kishte problem të dilte nga gjysma e fushës”, shkruan Marca.