Këto janë ditë të ndërlikuara për Manchester City, një klub i trullosur nga penalizimi i marrë prej UEFA-s. Nëse gjërat nuk ndryshojnë në CAS, “qytetarët” nuk mund të luajnë në garat europiane dy sezonet e ardhshme. Një ndëshkim, që derivoi menjëherë zëra për lamtumirën e njerëzve më përfaqësues të klubit, të Pep Guardiolës mbi të gjitha. Siç pritej, emri i trajnerit katalanas u lidh direkt me europianë të tjerë të mëdhenj, si Barcelona dhe Juventus, duke kaluar nëpër Bayern Munich e PSG, por situata mund të evoluojë në një mënyrë krejtësisht tjetër.
Sipas asaj që raportohet nga “The Times”, Guardiola e ka informuar menaxhmentin e kampionëve të Anglisë në fuqi për qëllimin e tij, që të mbetet në postin aktual, pavarësisht përjashtimit europian të imponuar nga UEFA. Ideja e Pep është që të respektojë kësisoji kontratën në fuqi, deri më 30 qershor 2021. Një shenjë besnikërie ndaj Ferran Soriano dhe Txiki Begiristain, me të cilët filloi një projekt, që nuk mund të braktiset gjatë ndërtimit. Megjithatë, në mjedisin e “qytetarëve” ka besim në përmbysjen e këtij vendimi nga CAS, duke evituar përjashtimin nga Europa, përkundrazi duket i pamundur parandalimi i një eksodi masiv të yjeve të ekipit.
Guardiola nuk është tipi që e lëshon anijen në mes të stuhisë dhe ky detaj nuk bën asgjë tjetër, përveç sigurimit të tifozëve, të tmerruar nga humbja e liderit të tyre. Një mënyrë për ta mbajtur përqendrimin të lartë, në funksion të përballjes së dyfishtë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit. Ky është kryqëzimi i vërtetë i një sezoni, që kërkon një përgjigje indirekte për dominuesit e Premier League, Liverpool. Megjithatë, e ardhmja afatgjatë do të konsiderohet në kohën e duhur, në fund të sezonit.