Me 2 qershor pritet edhe zyrtarisht të rinisë kampionati elitar i futbollit në Kosovë, pas pezullimit të tij që prej 13 marsit, si shkak i përhapjesë së pandemisë së koronavirusit.
Tashmë ekipet e Superligës në pesë ditët e fundit kanë rifilluar edhe me përgatitje, ndërsa kjo më së shumti ka gëzuar edhe futbollistët pasi për dy muaj kishin kryer stërvitje individuale në kushte shtëpie,shkruan Olle.
Sulmuesi i njohur i Trepçës 89, Arb Manaj, i cili është edhe një nga golashënuesit më të mirë në Ipko Superligë, tha se stërvitjet në grup i kanë munguar, ndërsa foli edhe për luftën për mbijetesë të skuadrës së tij e cila rrezikon një gjë të tillë.
“Stërvitjet po shkojnë mjaft mirë edhe pse kohë e shkurt për përgatitje por ne jemi duke bërë maksimumin. Gjithsesi stërvitjet në grup dallojnë nga ato individuale dhe kjo gjë po shihet se na ka munguar në muajt e fundit”, tha fillimisht Manaj.
“Gjatë kësaj kohe do të mundohemi sa më shumë të përgatitemi, duke tentuar të evitojmë edhe ndonjë lëndim të mundshëm”.
“Lufta për pjesën e poshtme të tabelës është e madhe këtë vit, ne kemi qenë për herë të parë në zonën e kuqe që nga fillimi i sezonit. Ne do të bëjmë maksimumin që Trepça 89 të mbijetojë sepse një ekip i madh si ky nuk meriton rënie nga liga”, përfundoj Manaj.
Manaj këtë vit numëron 11 gola, aq sa ka edhe sulmuesi i Ballkanit, Blendi Baftiu.