Manchester United ishte shumë i interesuar për futbollistin serb me nënshtetësi austriake Marko Arnautovic që të veshë fanellën e klubit, por tashmë gjithçka është mbyllur.
Fajtor për këtë janë tifozët e Unitedit, të cilët i kanë bërë shumë presion administratës për të mos sjellë lojtarin e Bolognas, transmeton Demokracia.com.
Sipas disa burimeve britanike, një numër i madh i tifozëve të United, duke përfshirë edhe ata që janë mbajtës të biletave të sezonit prej 30 vitesh, i kanë dërguar email klubit duke i kërkuar të braktisin transferimin e lojtarit të kombëtares austriake, në të kundërtën ata do të anulojnë biletat në shenjë proteste.
Arsyeja nuk janë cilësitë futbollistike të Arnautoviqit, por shpërthimi i tij racist në ndeshjen mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, kur shau në serbisht nënat shqiptare të dy futbollistëve Ezgjan Alijoskin dhe Egzon Bejtullain.
Edhe pse Arnautovic kërkoi falje pas ndeshjes duke thënë se nuk është racist dhe se ka shumë miq mes maqedonasve dhe shqiptarëve, mesa duket anglezët nuk e kanë harruar këtë dhe nuk i pranojnë futbollistët racistë në ekip.