Man City ka barazuar ndaj Feyenoord me rezultat 3-3 në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Qytetarët e nisën ndeshjen fuqishëm duke radhitur rastet para portës, por që goli vonoi.
Krejt në fundin e pjesës së parë Man City fitoi penallti, ku nga pika e bardhë ishte i saktë Erling Haaland që shënoi për 1-0.
Me të filluar pjesa e dytë, Ilkay Gundogan gjeti rrjetë për epërsinë e Manchester City në 2-0.
Në minutën e 53-të, ishte Haaland që shënoi golin e dytë personal për 3-0.
Por në minutat e mbetur ndodhi befasia e madhe, ku holandezët u kthyen fuqishëm në lojë.
Në minutën e 75-të, Anis Hadj Moussa, përfitoi nga një gabim i madh në mbrojtje për të shënuar për 3-1.
Pas shtatë minutash, ishte Santiago Tomas Gimenez që hapi plotësisht ndeshjen duke shënuar për 3-2.
Në minutën e 89-të, Feyenoord arriti që të barazojë gjithçka, kur Igor Paixao pasoi te David Hancko që shënoi për 3-3.
Ky barazim konfirmon krizën e madhe që po kalon Man City, që nuk ka shënuar fitore në gjashtë ndeshjet e fundit. /Telegrafi/