Mos ia përmendni Lyon-in Cristiano Ronaldos. Portugezi mbetet jashtë çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve sërish, si para 10 vitesh, duke u eliminuar nga i njëjti rival, klubi francez.
Para një dekade mbante veshur fanellën e bardhë të Realit, ndërsa tani atë bardhezi të Juves.
Fate të ngjashme, me zhgënjim maksimal brenda, si në sezonin 2009-2010, kur ylli portugez kishte përjetuar të njëjtin epilog.
CR7 e sheh veten jashtë Champions-it që në 1/8 finale për të dytën herë në karrierën e tij, duke pasur të njëjtin “vrasës”, Lyon-in.
Por, në këtë pikëtakim, ka edhe më shumë. Për të eliminuar Ronaldon para një dekade, në atë kohë mendonte Miralem Pjanic. 1-0 në Lyon, në ndeshjen e parë, dhe 1-1 në “Bernabeu”, me golat e CR7 dhe boshnjakut, kualifikuan francezët.
Mbrëmë, dhjetë vite më vonë, ata të dy ndanë të njëjtin fat.