Sulmuesi i Spezia, Emmanuel Gyasi, ka zbuluar se çfarë i kishte thënë Cristiano Ronaldo pas ndeshjes kundër Juventusit në Serie A të dielën.
Ronaldo u fut në lojë nga stoli në pjesën e dytë dhe i shënoi dy gola në triumfin e Juventusit 4:1 kundër Spezia.
Gyasi ka zbuluar në një intervistë se çfarë kishte biseduar me superyllin portugez pas ndeshjes.
“Bisedova pak me Cristiano Ronaldon para se të largohesha nga fusha. I thashë Ronaldos se ai është frymëzim për mua dhe gati për të gjithë futbollistët e tjerë, posaçërisht për të rinjtë”, tregoi Gyasi.
“Ai ishte i lumtur që i dëgjoi ato fjalë nga unë dhe më buzëqeshi. Ai më tha faleminderit shumë vëlla dhe më këshilloi të punoj fort dhe të besoj në ëndrrat e mia duke qenë se në jetë gjithçka është e arritshme”, shtoi ai.
26-vjeçari debutoi në Serie A këtë sezon me Spezia dhe shpreson se do të marrë ftesë edhe nga ekipi kombëtar i Ganës.
“Dua ta përfaqësoj Ganën, prandaj do të vazhdoj të punoj fort në klub.”