Adama Traore ka zbuluar disa detaje interesante nga e kaluara e tij.
Traore ka thënë se banda të ndryshme gangsterësh kanë tentuar ta rekrutojnë atë, gjatë fëmijërisë së vështirë në Barcelonë.
Tashmë anësori i Wolverhampton është i lindur në l’Hospitalitet, një zonë e varfër e Barcelonës. Ai duket se aty është përfshirë në shumë rrahje gjatë fëmijërisë së tij. Të gjitha këto lojtari i ka zbuluar para ndeshjes me Espanyol.
“Po, disa herë. Unë dhe vëllai im, një shok dominikan, të gjithë” ka thënë Traore, i pyetur nëse ndonjëherë është ftuar të përfshihet në një bandë, transmeton lajmi.net.
“Në atë kohë, të ishe pjesë e një bande të bënte të famshëm. Por, ne kishim tjetër mentalitet. Ne donim të ishim futbollistë, jo pjesë e një bande. Shihnim rrahje thuajse çdo ditë, por nuk donim të përfshiheshim” ka thënë tutje lojtari i Wolves.
“Sigurisht se jam përfshirë në ndonjë rrahje. Kishte banda në shkollën ku shkoja. Ata përplaseshin me njëri tjetrin. Shihja armë, rrahje me shkopa, thika, çdo gjë” ishin fjalët e Traore.
Traore i bashkohej akademisë së Barcelonës në vitin 2004, dhe luajti me skuadrën B para se të kalonte te Aston Villa në vitin 2015, kur ishte 19 vjeçar.