Florian Wirtz do të vazhdojë karrierën e tij te Liverpooli. Bayer Leverkusen arriti të nxjerrë shumën e kërkuar nga “Reds” për lojtarin e tyre më të mirë. Transferimi, i cili përfshin bonuse, do të arrijë në 150 milionë euro.
Futbollisti më i talentuar gjerman për momentin, 22-vjeçari Wirtz, është gati të bëjë histori. Largimi i tij është më i madhi në historinë e Bundesligës, ndërsa është gjithashtu më i madhi në historinë e Liverpoolit dhe Premier League, transmeton GazetaBlic Sport.
Më parë, transferimi më i madh në historinë e klubit ishte ai i Darwin Nunes nga Benfica për 85 milionë euro, ndërsa rekordi i Premier Ligës ishte Enzo Fernandez kur Chelsea i pagoi Benficës 120 milionë euro.
Ardhja e Wirtz është vetëm vazhdimi i rindërtimit të ekipit që Arne Slott nuk e përfundoi verën e kaluar kur ai pasoi Jurgen Klopp.
Ai fitoi titullin me ekipin që trashëgoi nga strategu gjerman, por do të hyjë në mbrojtjen e titullit me një skuadër të ndryshuar ndjeshëm. Jeremy Frimpong ka mbërritur në ekip, gjithashtu nga Bayer Leverkusen për 35 milionë euro, dhe mbrojtësi i majtë i Bournemouth, Milos Kerkez, me shumë gjasë do të transferohet në Anfield.