Ndeshja e parë e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve ndërmjet Liepzigut dhe Liverpoolit, me shumë gjasë nuk do të zhvillohet në Leipzig më 15 shkurt siç ishte parashikuar.
“Bild-Zeitung”, sipas burimeve brenda Qeverisë gjermane, ka mësuar se klubi i drejtuar nga Jurgen Klopp nuk do të lejohet të hyjë në shtetin e Gjermanisë.
Kjo mund të vendoset në këtë mënyrë shkaku i pandemisë së koronavirusit, pasi nuk lejohen të hyjnë njerëz nga një vend që është i prekur rëndë nga varianti i ri i koronavirusit. Britania e Madhe është njëra prej këtyre vendeve.
Janë tri opsione se si mund të zhvillohet kjo ndeshje. Leipzigu mund të luajë në “Anfield” fillimisht, por sipas informatave, Liverpooli e ka refuzuar një gjë të tillë. Opsioni i dytë është që ky duel të luhet në vende që kanë masa më të lehta për koronavirus. St. Petersburgu në Rusi ose Budapesti në Hungari janë në opsion. Ndërsa, opsioni i tretë është që ndeshja të përfundojë me rezultatin zyrtar, 3:0, sipas pikëpamjes së Leipzigut.