Liverpooli kthehet me tri pikë të mëdha nga Milano, ku falë një penalltie të realizuar në minutën e 88-të nga Dominik Szoboszlai, mposhti Inter Milanin me rezultat 1-0 në fazën ligë të UEFA Champions League.
“Reds” udhëtuan drejt Italisë pa yllin Mohamed Salah, i cili u la jashtë skuadrës pas deklaratave të forta që pasuan barazimin 3-3 me Leeds United në Premier League. Por pavarësisht mungesës së egjiptianit, Liverpool tregoi karakter dhe qetësi në “San Siro”.
Skuadra e Arne Slot filloi më mirë ndeshjen, me Curtis Jones që testoi portierin Yann Sommer herët në sfidë. Pak minuta më vonë, Ibrahima Konaté mendoi se kishte zhbllokuar rezultatin me një goditje me kokë, por goli u anulua pas një rishikimi të gjatë nga VAR për një prekje të topit me dorë nga Hugo Ekitike.
Inter u gjallërua në pjesën e parë, duke rrezikuar me një goditje të fuqishme me kokë të Lautaro Martínez, të cilën Alisson e ndali me refleks të shpejtë. Pas pushimit, të dy skuadrat luftuan fort, por rastet e pastra munguan.
Në minutën e 80-të, Conor Bradley humbi një mundësi të artë për Liverpoolin, duke goditur drejt Sommerit nga një pozicion shumë premtues. Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Bastoni u ndëshkua për një tërheqje të lehtë të fanellës së Florian Wirtz në zonë – një vendim që shkaktoi shumë polemika.
Dominik Szoboszlai mori përgjegjësinë dhe e dërgoi topin pa mëdyshje në rrjetë, duke i siguruar Liverpoolit fitoren e dytë në shtatë ndeshjet e fundit në Champions League.
Me këtë triumf, “Reds” ngjiten në vendin e tetë dhe barazojnë me pikë Interin, i cili regjistron humbjen e dytë radhazi në këtë kompeticion.
Të gjitha rezultatet dhe tabela:

