Liverpooli është përballur me një tjetër lajm të rëndë sa i përket lëndimeve, teksa është bërë e ditur se dyshja Curtis Jones dhe Diogo Jota do të humbasin finalen e Carabao Cup ndaj Chelseat të dielën.
Jones dhe Jota pësuan lëndime në fitoren ndaj Brentfordit në udhëtim dhe nuk pritet që të jenë në dispozicion për finalen e cila do mbahet në “Wembley”.
Lëndimi i Jotës duket të jetë më i rëndë pasi ai është lënduar në zonën e gjurit. Raportimet nga Portugalia sugjerojnë se ai mund të mbetet jashtë fushave për dy muaj, por ende nuk i është nënshtruar testeve mjekësore.
Përveç këtyre dyve, edhe Darwin Nunez ishte zëvendësuar më herët nga loja si masë mbrojtëse por ende nuk ka ndonjë përditësim nëse ai ka ndonjë problem më serioz.
Alisson gjithashtu mund të humbasë këtë finale për shkak të lëndimit të muskujve hamstring javën e kaluar, por portieri brazilian me shumë gjasë nuk do të startonte ndaj Chelseat sidoqoftë, pasi Klopp e ka përdorur Caoimhin Kelleher në Kupën e Ligës këtë sezon.
Liverpooli do të përballet me Lutonin mbrëmjen e së mërkurës, teksa “Të Kuqtë” do të synojnë që të bëjnë një hap para në garën për titull në Ligën Premier, transmeton telegrafi.
Mungesa e Jotës do të jetë e dukshme në fazën e sulmit, pasi sulmuesi portugez ka shënuar 14 gola këtë sezon, duke përfshirë pesë në shtatë ndeshjet e tij të fundit.