Liverpooli është skuadra e katërt që është kualifikuar në gjysmëfinale të Carabao Cup në Angli.
“Të Kuqtë” triumfuan në çerekfinale kundër Leicester City, vetëm pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 5:4.
90 minutat e rregullta në stadiumin “Anfield Road” u mbyllën pa fitues 3-3.
Vardy hapi serinë e golave në minutën e 9-të për ta vazhduar katër minuta më vonë me golin e dytë.
Oxlade-Chamberlain ngushtoi shifrat gjashtë minuta më vonë, ndërsa Maddison riktheu epërsinë e dy golave për “Dhelprat” në minutën e 33-të.
Kthesa e Liverpoolit nisi në minutën e 68-të kur Diogo Jota shënoi për 2:3.
Minamino ishte realizator i golit të tretë në minutën e pestë shtesë për ta dërguar ndeshjen në penallti, përmes të cilave “Të Kuqtë” u treguan më të saktë dhe kësisoj iu gëzuan kalimit tutje.
Liverpoolit në gjysmëfinale i janë bashkuar edhe Tottenham, Chelsea e Arsenali.