Liverpooli e bën për “shtatë pare” Man Unitedin, fiton me spektakël në derbin më të madh anglez

Liverpooli ka triumfuar me shumë lehtësi në derbin më të madh anglez, atë ndaj Manchester Unitedit, të vlefshëm për javën e 26-të në Premierligë.

Duke marrë parasysh formën e skuadrave këtë sezon, nuk pritej që “Të Kuqtë” të triumfonin me një spektakël golash, shkruan Gazeta Express.

Por, kjo ndodhi. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp regjistroi fitore me rezultatin 7:0. Ndeshja u zhvillua në “Anfield”.

Seria e golave u hap nga Cody Gakpo, i cili shënoi në minutën e 43-të. Me rezultat minimal u mbyll pjesa e parë, por vendasit shpërthyen në pjesën e dytë.

Në minutën e 47-të shënoi Darwin Nunez, teksa pas tre minutash Gakpo e realizoi golin e dytë personal.

Mohamed Salah e shënoi në minutën e 66-të golin e katërt për Liverpoolin. Nunez u shfaq sërish në skenë në minutën e 75-të për të realizuar golin e dytë personal.

E golin e dytë personal e shënoi edhe Salah, në minutën e 83-të.

Kjo fitore spektakolare u vulos në minutën e 88-të, me golin e shënuar nga Robert Firmino.

Liverpooli pas kësaj fitore ka 42 pikë dhe renditet në pozitën e pestë në tabelë.

Manchester United mbetet me 49 pikë në pozitën e tretë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *